Komuna e Medvegjës shumë shpejt pritet të bëhet me një muze etnografik i cili do ta prezantojnë historinë dhe etnokulturën e banorëve shqiptarë të asaj ane.
Muzeu do të ketë qendrën në Tupallë të Medvegjës dhe do të quhet Muzeu etnografik “Brahim Curri”.
Objekti i muzeut është gati dhe ai do të hapet sapo të kompletohet me artefaktet e nevojshme për funksionim.
Ideatori dhe financuesi i këtij muzeu Muharrem Salihu, nga kjo komunë, ka thënë në një prononcim për KALLXO.com se qëllimi i hapjes së këtij muzeu është për të ruajtur historinë dhe trashëgiminë kulturore të kësaj ane.
“Qëllimi i themelimit të këtij muzeu është thjesht ta kujtojmë të kaluarën dhe historinë tonë të dhimbshme, në mënyrë që të evitojmë përsëritjen e saj”, ka thënë Salihu.
Ai tha se për funksionimin sa më të mirë të këtij muzeu pret ndihmën nga institucionet e trashëgimisë në Kosovë dhe Shqipëri.
Discussion about this post