Forumi Shqiptar për Zhvillim Ekonomik në Serbi (AFEDS) është në vitin e pestë të jetës dhe po ushtron pa ndalur një aktivitet të gjerë intelektual dhe patriotik. Qëllimit të tij fillestar për të kontribuar për zhvillimin ekonomik të shqiptarëve në Medvegjë e më tej në Preshevë e Bujanoc, ju shtua edhe një kauzë tjetër, po aq themeltare që është mbrojtja e të drejtave të shqiptarëve në Serbi!
Në këtë kuadër, unë, si përfaqësues i AFEDS së bashku me bashkëpunëtorët e mi, kemi përcjellë problematikat e shqiptarëve në Serbi në nivelet më të larta ndërkombëtare dhe në nivelet më të larta shtetërore në Kosovë dhe Shqiperi. Theksojmë: takimin me mikun e shqiptarëve Kongresmenin Eiot Engel në Uashington DC, takimi me përfaqësuesit ambasadës amerikane, gjermane, të OSBE-së në Beograd, me përfaqësuesit e Komisionit Evropian, në Bruksel, Komisarin e lartë pranë OSBE-së në Hagë, Presidentin e Senatit italian, etj. Të gjitha këto takime janë bërë publike dhe janë lehtësisht të verifikueshme në rrjetet e komunikimit publik.
Por aktiviteti i AFEDS nuk ka qenë i izoluar. Ne kemi bashkëpunuar ngushtë me Fondin Humanitar për Preshëvë, Bujanoc dhe Medvegjë, që ka ndërtuar mbi 80 shtëpi në 3 komunat shqiptare në jug të Serbisë dhe kjo falë punës së tyre të palodhur mbi 20-vjeçare dhe ky është një rast për t’i falenderuar ata; me shumë OJF si motra dhe mbajmë kontakte të vazhdueshme me Tiranën, Shkupin dhe Prishtinën.
Aktualisht AFEDS në kushte shumë të vështira dhe plot sakrifica, përballë një presioni shtetëror të vazhdueshëm dhe mes një pasigurie që gjendet te popullata shqiptare, kryesisht në Medvegjë, po udhëheq një projekt nga më të rëndësishmit, që është identifikimi i adresave të pasivizuara të shqiptarëve në Medvegjë dhe përcjelljen e kësaj problematike në insitucionet e përshtatshme që kanë autoritetin për ta zgjidhur. Pjesë e këtij projekti janë shumë intelektualë që jetojnë në diasporë dhe në rajon. Ne nuk tërhiqemi dhe besojmë se e vërteta mund të vonojë, por nuk do të shuhet kurrë.
Gjithçka që unë, bashkëpunëtorët dhe homologët e mi kemi bërë, e kemi bërë si kontribut për vendlindjet tona, për shqiptarët në trojet e tyre autoktone në Serbi dhe nuk lejojmë që asnjë organizatë, apo individë të përvetësojë angazhimin tonë të sinqertë, për të fituar kredo apo të mira personale. Ne shprehim indinjatën tonë për komunikatën e përcjellë pak ditë më parë nga Shoqata Medvegja në Zvicër, përmes së cilës rradhiteshin kontributet e shumë organizatave dhe individëve, të cilat përcilleshin si të bëra nën drejtimin e kësaj organizate.
Ne besojmë se sa më shumë individë dhe organizata të punojnë për të mirën e shqiptarëve, sa më të bashkuar të jemi, aq më të shumta do të jenë frytet tona dhe problemet tona do të marrin më shumë zgjidhje.
Njëkohësisht besojmë se nuk është koha për të shprehur dhe marrë merita individuale e kolektive për punën e palodhur që bëhet për të mirën e shqiptarëve.
AFEDS
Themelues Muharrem Salihu – Medvegjë
Discussion about this post