Të kesh afro gjysmë milioni vota është nder, por dhe përgjegjësi e madhe si e tha vetë zoti Kurti në fjalën e vet. Le të shpresojmë se ministrat e tij do t’i zhvillojnë këto përgjegjësi me ndershmëri dhe ndjenjë shërbimi ndaj shtetit dhe popullit.
Ashtu si e tëra nuk mund të jetë e plotë pa një pjesë, sado e vogël, edhe kombi ynë, nuk mund të jetë i plotë pa shqiptarët që jetojnë në Republikën e Serbisë. Ndaj me vëmendje, e ndoqa qoftë prezentimin e programit, qoftë dhe përbërjen e qeverisë Kurti.
Më pëlqeu potencimi i konceptit të reciprocitetit nga Premieri Kurti. Në gjykimin tim si medvegjas, si shqiptar banor i Republikës së Serbisë, reciprociteti zbatohet menjëherë duke i dhënë shqiptarëve të 3 komunave, banorë në to, apo dhe në diasporë, te njëjtin status si Serbia jua garanton serbëve të Kosovës!
Reciprociteti nënkupton një doktrinë, një plan veprimi, dhe duhet të jetë në përputhje me dokumentat ndërkombëtarë. Supozoj se ky plan i qeverisë së zotri Kurtit, është i hapur për përmirësime, për sugjerime, që mbajnë në fokus problemet e shqiptarëve në tre komunat, për seicilin prej dikastereve.
Përshembull, zonja Arbërie Nagavci, e njohur për përkushtim, për njohje të problematikave të arsimit, duhet të jetësojë një plan hapash, për të ndihmuar nxënësit e studentët e tre komunave, atje ku janë, dhe jo domosdoshmërisht nëpërmjet kuotave të rezervuara në shkollimin e Kosovës. Diplomat e Kosovës nuk njihen në Serbi, kësisoj dobia krijohet nëse Kosova apo Shqipëria ndihmojnë atje ku qëndron problemi…. Të ngrihet një universitet në komunat ku banojnë shqiptarët, me donacione ndërkombëtare…
Liburn Aliu, veprimtar kombëtar i kahershëm, i lidhur me komunat tona prej gjakut dhe familjes, më ka prezantuar idetë e tij për zhvillimin kulturor, turistik, arkeologjik të zonave kufitare me Medvegjën, madje për një plan të integruar të tyre me komunat tona. Ide e qëlluar. Por ne duam që të lobohet pranë autoriteteve amerikane për autostradën që nga Prishtina të lidhet me Korridorin 10, duke kaluar nga Medvegja. Ky do të ishte çlirimi i vërtetë dhe emancipim për krejt shqiptarët në Serbi.
Donika Gërvalla,i bën nder diplomacisë kosovare dhe me diturinë e saj, me patriotizmin e saj, me qasjen properëndimore do të ndihmojë shumë shtetin e Kosovës dhe kombin. Besoj shumë se ajo do të nxisë dhënien e shtetësisë për banorët rezidentë në 3 komunat, atyre që aktualisht jetojnë në Kosovë apo diasporë, si një veprim plotësisht reciprok. Këshilli Politik duhet të jetësohet fuqishëm, duke përfshirë pse jo dhe përfaqsues nga Republika e Maqedonisë së Veriut. Ky Këshill, duhet të institucionalizohet, duhet të hartojë dhe miratojë projektet që financohen nga 3 shtetet për banorët e 3 komunave, duke ndalur fuqizimin e bejlurçinave të partive shqiptare në Republikën e Serbisë, të cilët me sherret e tyre dëmtojne dhe nuk kanë ndalur asgjë në përkeqsimin e vazhdueshëm të statusit të shqiptarëve në Serbi.
Discussion about this post