Duket se pas 10 ditëve plotë tensione në kufirin verior të Kosovës me Serbinë, të gjithë faktorët politik shqiptar si dhe ata ndërkombëtarë e kanë pranue faktin, se vendimi i qeverisë së Republikeës së Kosoveës për ta vendos reciprocitetin për targat e përkohshme dhe dërgimin e njësisë speciale ROSU në veri, ishte i drejt dhe i domosdoshëm. Ngase, pas gjithë atyre bllokadave, djegieve të pikave kufitare nga bandat kriminale serbe, pas 10 viteve bisedime në Bruksel si dhe kërcënimeve të vazhdueshme nga ana e regjimit hegjemonist të Serbisë ndaj Kosovës, ishte koha e fundit që edhe në atë pjesë të Republikës së Kosovës të do vendoset rendi dhe ligji.
Siç është komentue nga disa analistë të huaj, njohës të mirë të politikës serbe në Ballkan, me të drejt kanë konstatue se Beogradi zyrtar është tolerue më shumë seç është dashur nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, ndoshta për faktin se është bombardue në pranverën e vitit 1999, siç është ledhatuar në mënyrë të tepruar për ta largue kushtimisht nga ndikimi i Rusisë. Por, siç e dimë regjimi kriminal i Millosheviqit vetëm pas goditjeve nga bombat e NATO-s në pranverë të vitit 1999 e kuptoi se duhet të ulët në bisedime, realitet të cilin nuk donin as atëherë ta pranonin, njëjtë siç po vepron edhe sot kryetari aktual i Serbisë, A. Vuçiç, mbase duhet të jenë bindur pas ngjarjeve të fundit në veri, se Kosova është shtet i pavarur i cili nuk pranon kurrfarë ndarjeje dhe se sovraniteti i saj nuk mund të negociohet kurrë më!
Unë besoj, se lojërat, sulmet dhe kalkulimet djallëzore të politikës hegjemoniste të Serbisë ndaj Kosovës, duket së më në fund i kuptoi brezi i politikanëve të rinj në Evropë dhe SHBA, pra se dërgimi i Njësisë speciale të policisë së Kosovës në veri nuk i rrezikonte qytetarët serb, por ishin përpjekjet e vazhdueshme të Serbisë për ta aneksue atë pjesë të Kosovës. Se, bashkësia ndërkombëtare e ka kuptue faktin, se duke e mbajtur Kosovën nën presion të vazhdueshëm, regjimi i Beogradit synon të provokon luftë të re në Ballkan, pas të cilit është e qartë se qëndron Moskva zyrtare në krye me presidentin Putin.
Në rrethana të acaruara politike të shkaktuara nga regjimi autokrat i Serbisë, shqiptarët patjetër duhet të veprojnë si faktor institucional dhe politik shqiptar unik, sidomos tani në rrethana më të volitshme të krijuara nga ngjarjet e fundit në kufirin Kosovë-Serbi. Madje, duhet të na gëzon fakti, ani se me vonesë, se vetëm të bashkuar kundër një agresori siç është Serbia, mund të dalim më të fuqishëm si shtet, siç ishte veprimi i fundit i opozitës tonë parlamentare e cila i dha mbështetje vendimit të qeverisë së Kosovës, të cilën duhet përshëndetur dhe inkurajue për veprime të tilla edhe në të ardhmen.
Një meritë e veçantë i takon, pa dyshim, Policisë së Kosovës, e cila tregoi maturi dhe durim të jashtëzakonshëm, duke krijue një realitet të ri në veriun e shtetit tonë, por gjithashtu edhe korrespondentëve të mediave tona dhe atyre ndërkombëtare, të cilat nga afër barrikadave serbe raportonin në kushte shumë të vështira për ngjarjet në dy vendkalimet kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë.
Uroj që reciprociteti i filluar ndaj Serbisë, të vazhdon me masa të reja ligjore në fusha tjera të politikës dhe ekonomisë, si mjet legjitim në mbrojtje të interesave tona shtetërore dhe kombëtare!
Discussion about this post