Ish-bosi i kompanisë Google, Eric Schmidt ka zgjedhur shqiptaro-amerikanin, Ylli Bajraktarin në krye të Projektin Special të Studimeve Speciale (SCSO) që do të rekomandojë strategjitë e politikat vendimtare afatgjata të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Eric Schmidt ka qenë CEO-ja i famshëm që e bëri kompaninë Google të jetë gjiganti i madh i teknologjisë moderne. Nën drejtimin e tij, Google shndërroi përgjithmonë mënyrën se si kërkojmë informacionin në internet.
Sot, pas një karriere të gjatë në teknologji dhe biznes, Dr. Schmidt e ka hedhur shikimin diku tjetër.
Ai është frymëzuar nga miliarderi Nelson Rockefeller që në kulmin e frikës nga një luftë bërthamore mes SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik themeloi në 1956 Projektin e Studimeve Speciale Rockefeller (SSP).
Me ndihmën e studiuesit të njohur të kohës në Harvard University, Henry Kissinger, ai afroi në projekt strategjikët më të mirë dhe njohësit më të thellë të marrëdhënieve ndërkombëtare, shkencave ushtarake, dhe të teknologjisë bërthamore.
Puna e këtij projekti ishte vendimtar në përcaktimin e politikës së jashtme dhe të sigurisë amerikane gjatë Luftës së Ftohtë.
Në kohën tonë, kur e ardhmja e botës do të përcaktohet nga fitorja në konkurrencën për inteligjencën artificiale dhe teknologjive të tjera të reja moderne, Dr. Schmidt ka vendosur të bëjë diçka të ngjashme.
Ai ka krijuar Projektin Special të Studimeve Speciale (SCSO) që do të rekomandojë strategjitë e politikat vendimtare afatgjata të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë drejtim.
Për të drejtuar këtë nismë vizionare, ish-bosi i Google-t ka zgjedhur ekspertin shqiptaro-amerikan Ylli Bajraktari që ka punuar në dy administratat e presidentëve Barack Obama dhe Donald Trump dhe së fundi ka qenë figurë kryesore në zyrën e Këshilltarit për Sigurinë Kombëtare Gjeneralit H. R. McMaster.
Historia e tij dhe e vëllait të tij, Ylber Bajraktari, si emigrantë lufte që u ngjitën në shkallët e larta të administratës amerikane është bërë e njohur në shumë gazeta.
“Jam i nderuar nga kjo mundësi e pabesueshme për të drejtuar Projektin”, tha shefi ekzekutiv (CEO) Bajraktari.
Discussion about this post