Gjenerallejntënant Rrahman Rama ka dhënë dorëheqje nga posti i komandantit të Forcës së Sigurisë të Kosovës.
Është mësuar nga burime brenda FSK-së se gjenerallejtënant Rama e ka nënshkruar dorëheqjen mëngjesin e të martës.
Pas presioneve të vazhdueshme nga udhëheqja politike, që po përgatiste shkarkimin e tij, gjenerallejtënant Rama ka vendosur t’i jap fund para kohës qëndrimit në krye të ushtrisë së Kosovës.
Sipas burimeve të AP, komandant i ri i Forcës së Sigurisë të Kosovës do të emërohet gjeneralmajor Bashkim Jashari.
Albanian Post ka raportuar javën e shkuar se po përgatitej shkarkimi i tij, për shkak të presionit politik mbi FSK-në nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.
Mospajtimet midis komandantit të FSK-së dhe ministrit të Mbrojtjes kanë arritur pikën kritike më 18 shtator, dy netë para aksionit të Policisë së Kosovës për të vendosur reciprocitetin për targat me Serbinë.
Mbrëmjen e 18 shtatorit, ministri Mehaj e ka urdhëruar komandën e Forcës së Sigurisë të Kosovës që FSK-ja t’i lyejë katër mjete të blinduara ushtarake M1117 ASV, pronë e FSK-së, me ngjyrë të kaltër, me arsyetimin se do të përdoreshin në mbështetje të aksionit të policisë në veri të vendit.
Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Rrahman Rama e ka refuzuar kategorikisht një kërkesë të tillë, pasi marrëveshja me Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kërkon qartësisht që FSK të jetë përdoruesja e fundit e çfarëdo pajisje ushtarake që ka marrë si ndihmë nga Departamenti i Mbrojtjes.
Edhe kërkesa që ministri Mehaj i dërgon Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, për t’ia lejuar përdorimin e atyre mjeteve të blinduara në operacionin policor merr përgjigje negative.
Pas këtij refuzimi, ministri Mehaj kërkon përdorimin e gjashtë mjeteve të blinduara Otocar Cobra, që Forcës së Sigurisë të Kosovës i janë dhënë si ndihmë nga Turqia dhe që kanë po të njëjtën dispozitë, sipas së cilës FSK-ja është përdorues i fundit i tyre.
Edhe këtë kërkesë, në formë urdhëri, duke iu referuar marrëveshjes, ka refuzuar ta përmbushë Gjenerallejtënant Rama. Këto kanë bërë që raportet midis komandantit të FSK-së dhe ministrit të Mbrojtjes të prishen shumë. Dhe për pasojë ka nisur procedura e shkarkimit të tij.
Albanian Post mëson se kandidatët kryesorë për të marrë detyrën e komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, pas shkarkimit të Gjenerallejtënant Rrahman Ramës, janë Inspektori Gjeneral i Forcës së Sigurisë të Kosovës, Gjeneralmajor Bashkim Jashari dhe Gjeneralmajor Gëzim Hazrolli, i ftuar, pa ndonjë sqarim në çfarë cilësie, si dëshmitar apo i dyshuar, nga Gjykata Speciale në qershor të vitit 2020.
Nga burime brenda Forcës së Sigurisë të Kosovës, merret vesh se gjasat më të mëdha për t’u konfirmuar si komandant i FSK-së i ka Gjeneralmajor Hazrolli, meqë Gjeneralmajor Jashari mund të mos e marrë aprovimin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe as nga presidentja Vjosa Osmani.
Çfarë ndodhi më 18 shtator dhe pse SHBA-ja i çoi notë diplomatike qeverisë për armatimin e FSK-së?
“Merrini katër ASV dhe lyejini me ngjyrë të kaltër”. Ky ka qenë urdhëri i Ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj, në rrugë jozyrtare, për komandën e Forcës së Sigurisë së Kosovës, dy netë para operacionit të Njësiteve Speciale të Policisë së Kosovës për vendosjen e reciprocitetit për targat në pikat kufitare me Serbinë. Qëllimi i ministrit Mehaj ishte që mjetet ushtarake M1117 ASV, që FSK-së i janë dhënë si pjesë e ndihmës ushtarake nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të përdoreshin për ta ndihmuar operacionin e policisë në veri të vendit.
Nga burime brenda FSK-së, Albanian Post ka mësuar se urdhëri i ministrit Mehaj është kundërshtuar dhe refuzuar nga Komandati i Forcës së Sigurisë të Kosovës, Gjenerallejtënant Rrahman Rama, me arsyetimin që në marrëveshjen e nënshkruar me Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës parashihet që Forca e Sigurisë së Kosovës të jetë përdorues i fundit i atyre pasjisjeve. Rrjedhimisht, që asnjë nga pajisjet për të cilat FSK-ja ka kontratë me Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk mund të përdoren, tjetërsohen apo shiten pa aprovimin e kësaj të fundit. Mirëpo, kur ministri ka insistuar sërish, atij i është sugjeruar që të flasë me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.
Sërish në rrugë jozyrtare, pasi kërkesa e tij është refuzuar nga komandati i FSK-së, ministri Mehaj i është drejtuar Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë. Përmes një SMS-je dërguar atasheut ushtarak të ambasadës, Kolonel Stephen Rose, ai ka kërkuar që t’i aprovohet kërkesa për përdorimin e katër mjeteve të blinduara M1117 ASV(Armored Security Vehicle), në mbështetje të operacionit policor që do të kryhej të nesërmen në veriun e vendit.
Edhe atasheu ushtarak i është përgjigjur negativisht kërkesës së ministrit Mehaj, duke i kujtuar faktin që FSK-ja është përdoruesi i fundit i atyre mjeteve dhe që kjo nuk mund të ndërrohet pa një marrëveshje paraprake me Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ndërsa, nga burime të njohura mirë me zhvillimin, Albanian Post ka mësuar se atasheu Kolonel Stephen Rose po ashtu ka shprehur pakënaqësi edhe për mënyrën e parashtrimit të kërkesës nga minisitri Mehaj.
Kërkesa e ministrit Mehaj është përcjellë me shqetësim nga instancat më të larta të Departamentit Amerikan të Mbrojtjes, që në anën tjetër kanë falënderuar për lidershipin e treguar komandantin e Forcës së Sigurisë të Kosovës, Gjenerallejtënant Rrahman Rama. Albanian Post, nga burime brenda FSK-së ka marrë vesh se në bisedat që janë bërë pastaj, Pentagoni ia ka bërë të qartë komandës së FSK-së që, nëse do të ishte pranuar kërkesa e ministrit Mehaj, do të konsiderohej shkelje e rëndë e marrëveshjeve të nënshkruara dhe të gjitha mjetet e armatimet do të tërhiqeshin mbrapsht.
Serioziteti i situatës u vërtetua të enjten e javës së kaluar kur, përmes një note diplomatike nga Ambasada në Prishtinë, SHBA-ja ka kërkuar që Qeveria e Kosovës të zotohet, përmes marrëveshjes, se pajisjet që i janë dhënë Forcës së Sigurisë së Kosovës nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe që në kontratë e kanë të përcaktuar FSK-në si përdorues të fundit, nuk do t’i jepen asnjë organizate tjetër të sigurisë.
Në notën diplomatike, të publikuar në media të enjten e javës së shkuar, thuhet se “Ambasada propozon që Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Qeveria e Republikës së Kosovës të bien dakord që, pa pëlqimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Qeveria e Republikës së Kosovës nuk do të ofrojë asnjë ndihmë të dhënë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës sipas Aktit për Ndihmë të Jashtme të vitit 1961 ose Aktit për Kontrollin e Eksportit të Armëve, apo legjislacionit pasardhës, asnjë njësie të sigurisë të Republikës së Kosovës, për të cilën Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ia ka bërë të qartë Republikës së Kosovës se e ka të ndaluar të pranojë ndihmë të tillë sipas seksionit 620M të Aktit për Ndihmë të Jashtme të vitit 1961, i njohur Ligji Leahy”.
Discussion about this post