Kostaq Papa, përfaqësuesi politik i emigracionit shqiptar, në një intervistë ekskluzive për AFEDS, deklaroi se pasivizimi i adresave që po ndodh aktualisht në Medvegjë, është formë e re e gjenocidit serb mi shqiptarët autokton.
Papa, është një nga zërat e fuqishëm që, reagon shpesh herë për çështje të cilat preukopojnë shqiptarët në tërësi.
Vet Papa, për AFEDS, deklaroi se kur ditën më parë reagoi kundër fjalës së ministres serbe për pasivizimin, ju bllokua reagimi në rrjetet sociale. Sipas Papajt, kjo mund të jetë e porositur nga – sic tha ai – përfaqësuesit e KNSH-së.
“Para disa ditësh reagova ndaj fjalës së ministres serbe në lidhje me Pasivizimin. Mu bllokua reagimi për 24 orë. Kjo mund të jetë e porositur nga përfaqësues të KNSH-së, të cilët me apo pa dashje, çojnë ujë në mullirin e armikut”, tha Papa.
Intervista si vijon:
AFEDS: Në Medvegjë, siç jeni në dijeni, po ndodh pasivizimi i adresave të shqiptarëve. Cili është komenti juaj, dhe, për më tepër, kush sipas jush do të duhej të ishte zgjidhja e kësaj situate?
Papa: Sigurisht që e njoh procesin e pasivizimit të adresave që ndodh në Medvegjë. Unë e kam quajtur forma e re e gjenocidit modern serb mbi shqiptarët autokton të trojeve etnike lindore.
Përndjekja e shqiptarëve nga vatani, i trashëguar historikisht brez pas brezi, në shtetin serb nuk ka pushuar asnjëherë, të paktën që prej vitit 1815 e deri më sot.
Pasivizimi kjo formë e re gjenocidi e spastrimi etnik si proces i zyrtarizuar është shpallur në Serbi me Ligjin e kontrollit të adresave në vitin 2014 në mos gaboj.
Thuhet për rreth 4500 shqiptarë të pasivizuar, por me gjërësinë e shtrirjes së procesit në vitet e fundit shifra reale është rreth 7000 shqiptarë të pasivizuar shumica në Medvegjë, Bujanoc e më tej në Preshevë. Pra shifër alarmante!
Reaguan përfaqësues të shqiptarëve në Kosovën lindore sidomos në Medvegjë, disa intelektualë, asambleistë, atëdhetar e shoqata, ndërsa reagimi i KNSH-së, deri tani është i vakët, i përunjur dhe jo i denjë.
Përfaqësuesit nga Medvegja me argumenta, shifra e fakte sensibilizuan opinionin publik, qytetarët, komunat, diasporën, ndërkombëtarët, sigurisht dhe Komitetin e Helsinkit në Serbi.
Duhet akoma punë në sensibilizimin e ndërkombëtarëve, të aleatëve tanë SHBA, Kanada, Britani, te vendeve të BE: Gjermani, Itali, Francë, Belgjikë,Danimarkë, të Zvicrës etj e deri në OKB sepse problemi është i përmasave të mëdha, kundër të drejtave elementare të njeriut, është antihuman e ç’njerëzor; sensibilizim qe Serbia te ndaloj Pasivizimin e te prish pasivizimet e kryera deri tani e te kushtezohet Serbia ne hapat dhe çeljen e kapitujve drejt BE.
AFEDS: A keni dëgjuar për raportin e fundit të Komisionit të Helsinkit në Serbi, për gjendjen e shqiptarëve në Serbi?
Papa: Po kam dëgjuar!
Si rezultat i veprimtarisë së përfaqësuesve serioz nga Medvegja dhe punës së tyre sistematike e grumbullimi i dëshmive nga z.Flora Ferhati, Muharrem Salihu etj. u vu në lëvizje Komiteti i Helsinkit në Serbi. Në raportin e fundit ky komitet e quante Pasivizimin si ” përdorimi i mjeteve administrative për zbatimin e spastrimit etnik”.
Komiteti i Helsinkit në Serbi është në vazhdën e kritikave ndaj qeverisë së Beogradit.
Por organizatat e shoqërisë civile e ato progresive në Serbi duhet të bëjnë më shumë për sqarimin e opinionit publik serb dhe atë ndërkombëtar, se çfarë krimesh, masakrash, genocidi e spastrimi etnik kanë kryer serbët ndaj shqiptarëve në Kosovë sidomos në vitet 1998-1999.
AFEDS: A ju bën përshtypje se ndërsa shoqëria civile serbe shqetësohet për gjendjen e shqiptarëve atje, as Kosova dhe as Shqipëria nuk e ndërkombëtarizojnë këtë raport? Apo nuk e përdorin në marrëdhëniet dypalëshe, si dokument për tu diskutuar në Dialogun e Brukselit, etj? Cili kishte me qenë komenti juaj?
Papa: Ka ardhur momenti që politikanët shqiptar në Tiranë e Prishtinë, biles dhe ata në Shkup, të tregojnë maturi, pjekuri e largpamësi në zgjidhjen e problemeve të popullit e kombit shqiptar.
Të ndërkombëtarizojnë problemet e pazgjidhura me fqinjët, që situata të mos agravojnë, që të mos rrezikohet siguria e stabiliteti në rajon e zgjidhjet të vijnë me ndihmën e faktorit ndërkombëtar.
AFEDS: Me qëllim të vendosjes së një paqeje të qëndrueshme midis Kosovës dhe Serbisë, u diskutua kohët e fundit edhe një shkëmbim territorial: pjesa veriore me shumicë serbe t’i takojë Beogradit, dhe Kosovës t’i bashkohet Lugina e Preshevës, e banuar nga shqiptarët. Çfarë mendoni ju për këtë?
Papa:
Diskutimi qoftë dhe në të fshehtë për shkëmbime të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë ishte një gabim që dëmtoi procesin e njohjeve të Kosovës. Dihet që pavarësisht bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve deri në njohje reciproke, Serbia nuk e do shtetndërtimin e Republikës së Kosovës dhe bënë gjithçka për sabotim. Kështu që dhe “diskutimi për shkëmbime territoresh” ishte një alibi tjetër shtesë në zvarritjen e bisedimeve, një element shtesë në përpjekjet për sabotim të Republikës së Kosovës dhe fitim kohe nga ana e Serbisë.
Shkurt pse nuk duhet të ketë shkëmbim territoresh e popullsish!?!
-Shkëmbim i tillë nuk i përket kohës tonë dhe as shteteve moderne bashkëkohore.
-Referuar hartave dhe vendbanimeve historike, çdo pëllëmbë toke e Kosovës është tokë shqiptare, është tokë Dardane, Ilire.
-Serbia ka pushtuar toka shqiptare si Kosovën Lindore, Sanxhakun, Toplicën e deri në Nish tek Molla e kuqe. Shqiptarët nuk kanë pushtuar asnjëherë asnjë popull e asnjë copë toke të ndonjë populli tjetër.
-Pra shkëmbimi ishte një proces me humbje për Kosovën edhe për faktin se shkëputej mundësia e kontaktit natyror me shqiptarët e Sanxhakut.
-Ka dhe arsye të tjera si Ujmani; zgjerimi i Serbisë në teritore me pasuri natyrore minerale; afrimi i teritoreve drejt Trepçës etj.
Jo vetëm Lugina e Preshevës që për ne nënkupton Presheve e Bujanoc, por krejt Kosova Lindore, pra duke përfshirë dhe Medvegjen e vendbanime të tjera shqiptare të rrudhura në Toplicë, por dhe Shqiptarët e Sanxhakut e Muhaxhirët Shqiptarë me pasuritë e tyre duhet të përfshihen në bisedimet ndërkombëtare me Serbinë.
Serbët dhe sllavët e tjerë në Kosovë janë sjellë si kolonë.
Shqiptarët janë autoktonë në trojet e tyre mijvjeçare. Kosova Lindore, Toplica e Sanxhaku janë teritore historike shqiptare! Kështu që duke u shprehur për Presheven, Bujanocin e Medvegjen them se ato duhet të bashkohen me Kosoven ose shprehur më qartë- si toka shqiptare ato duhet te bashkohen me tokat e lira shqiptare.
AFEDS: Cili është mendimi juaj për nismën „Open Balkan“, çfarë qëllimi ka dhe a është i drejt refuzimi që po ia bën Kosova?
Papa: Pjesëmarrja e Shqipërisë në “Open Balkan” është një gabim. Vetëm Kryeministri Rama e pranon për protagonizem “Open Balkan”, populli shqiptar e refuzon. “Open Balkan” në tërë dimensionin e tij është një Marrëveshje e krijuar nga Vuçiç për të anashkaluar njohjen e Kosovës, për të zvarritur procesin e dialogut, për të fituar kohë Serbia, për të shtuar ndikimin rus.
“Open Balkan” është në dobi të Serbise e në dëm të Kosovës, në dëm të ekonomisë së dobët shqiptare. Çudi si nuk e kupton Rama që ka rënë në kurthin e kriminelit Vuçic dhe prania e Shqipërisë përmirëson reputacionin e Serbisë në arenën ndërkombëtare pas 3 luftrave që bëri në ish-Jugosllavi, pas gjenocideve e spastrimeve etnike në Kroaci, BosnjeHercegovine e Kosovë.
Kosova ka shumë të drejtë kur e refuzon “Open Balkan” sepse Serbët përpiqen të sajojnë këtë proces vetëm e vetëm për të dëmtuar Republikën e Kosovës.
Discussion about this post