Kryetari i Lëvizjes Vatra, Kushtrim Kadriu, në një intervistë ekskluzive për AFEDS, deklaroi se përballë shqiptarëve Rajonin e Medvegjës, Kosova e Shqipëria po bëjnë sehir.
Sipas tij, Kosova dhe Shqipëria më e pakta që mund të bënin është që të pajisnin me dokumente identifikimi shqiptarët e ikur nga Kosova Lindore, me qëllim që sado pak t’ua mundësojnë një jetë disi më normale.
Tutje, Kadriu, shtoj se në bisedat e Brukselit kurrë nuk u diskutua për problemet e shqiptarëve në Serbi, as që e morën mundin që t’i përmendin ndonjëherë.
Intervista e plotë:
AFEDS: Në qytetet shqiptare të Serbisë, po ndodh pasivizimi i adresave, me theks të veçantë në Medvegjë. Atje, qytetarëve po iu hiqet e drejta për të jetuar ligjërisht në vendet e tyre. Cili – sipas jush – do të duhej të ishte veprimi i menjëhershëm i dy shteteve shqiptare, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë për zgjidhjen e kësaj situate?
Kadriu: Dy shtetet tona duhet të reagojnë në arenën ndërkombëtare duke alarmuar për këtë proces, por deri tani ata vetëm kanë bërë sehir. Kosova dhe Shqipëria më e pakta që mund të bënin është që të pajisnin me dokumente identifikimi shqiptarët e ikur nga Kosova Lindore, me qëllim që sado pak t’ua mundësojnë një jetë disi më normale.
AFES: Në mbledhjen e fundit të dy qeverive shqiptare, përkatëisht të Kosovës dhe Shqipërisë, u morën disa vendime por asnjë prej tyre nuk kishte të bënte me shqiptarët që jetojnë në Serbi.
Si do ta komentonit këtë?
Kadriu: Ç‘të themi, ky realitet i hidhur ekziston tash e dy dekada. Shqiptarët e Kosovës Lindore kanë mbetur jetim, pa asnjë përkujdesje, as nga Qeveria e Kosovës e as nga Qeveria e Shqipërisë. Çështjen e Kosovës Lindore e përdorin vetëm për poenë politikë.
AFEDS: A keni dëgjuar për raportin e fundit të Komisionit te Helsinkit ne Serbi, per gjendjen e shqiptareve ne Serbi?
Kadriu: Po, kam dëgjuar për këtë raport, madje nga zyra ime u kam dërguar shumë dokumente me rëndësi, të cilat ndihmuan në krijimin e tij.
AFEDS: A ju bën përshtypje se ndërsa shoqëria civile serbe shqetësohet për gjendjen tonë, as Kosova dhe as Shqipëria nuk e ndërkombëtarizojnë këtë raport? Apo nuk e përdorin në marrëdhëniet dypalëshe, si dokument për tu diskutuar në Dialogun e Brukselit, etj? Cili kishte me qenë komenti juaj?
Kadriu: Jo, nuk më bënë përshtypje aspak, pasi që jemi mësuar me sjelljet refuzuese nga politikbërja e Kosovës në relacion me shqiptarët e Kosovës Lindore tash e njëzetë e dy vjet. Në bisedat e Brukselit kurrë nuk u diskutua për ne, as që e morën mundin që të na përmendin ndonjëherë. Jam skeptik në këtë drejtim, të gjitha qeveritë tona bënë fare pak për ne.
AFEDS: Çfarë ka bërë apo nuk ka bërë Kosova dhe Shqipëria për shqiptarët që jetojnë atje? Më saktë çfarë duhej të bënin?
Kadriu: Republika e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë bënë fare pak, pothujse aspak për ne. Ato do të duhej të hartonin një strategji kombëtare afatgjatë për Kosovën Lindore, por deri tani nuk kemi pare asnjë hap të tillë serioz.
AFEDS: Si e keni parë punën e deritashme të qeverisë Kurti? Cilat janë – sipas jush – punët e mira apo punët e pabëra të k’saj qeverie?
Kadriu: Qeveria Kurti po vendnumëron, deri tani po duket që është qeveri pasive dhe e përbërë nga njerëz joprofesionistë e të papërvojë. Z. Kurti me vite kishte premtuar zgjidhje për problemet e mëdha që ka Kosova Lindore, por që deri tani nuk kemi pa ndonjë hap konkret në këtë drejtim. Shpresojmë që ai të këndellet e t’ia nisë nga e mbara, pasi që populli pret shumë nga ai. Mospuna e tij po bënë që populli të dëshpërohet edhe më shumë, zatën kjo bëri që t’i japin një dush të ftohtë atij në zgjedhjet lokale, duke i humbur qindra mijëra vota.
AFEDS: Vendi, që prej kohësh është tërësisht në krizë morali, që ka përfshirë edhe individët, edhe komunitetet, edhe institucionet, edhe shoqërinë civile. Sipas jush, cila është rrugëdalja nga kjo krizë?
Kadriu: Duhen zgjedhje të reja parlamentare dhe qeveri me profesionistë, me njerëz që me të vërtetë i njohin punët. Kjo qeveri që erdhi në pushtet me gjithë deputetët e saj, duket se janë joprofesionistë dhe tepër të padijshëm. Duhet kërkuar ku janë e ku s’janë për njerëzit e dijshëm e profesionistë që dinë se si qeveriset, e pastaj duhet punuar shumë, në mëyrë që të kthehet shpresa se mund të jetohet në këtë vend.
Discussion about this post