Në qytetet shqiptarë në Serbi, respektivisht në Medvegjë, po ndodh ajo që po cilësohët cënim i të drejtave themelore të njeriut, raporton AFEDS.
Përtej krizës ekonomike e sociale, medvegjasit po përballen nga trysnia e shtetit të Serbisë, për të pasivizuar adresat e tyre.
Kjo, është bërë shqetësim rajonal tanimë. Kosova e Shqipëria, po bëjnë por jo aq sa duhet për këtë problem.
Profesori i ekonomisë, ish-deputeti i LDK-së Muhamet Mustafa, në një prononcim për AFEDS, deklaroi se ka kohë që është mësuar për këtë problem. Sipas tij, nuk mjafton që t’i qajmë hallin njëri tjetrit por që të veprohet konkretisht.
“Ka një kohë që kemi kuptuar për problemin e pasivizimit të adresave, një instrument ky administrativ i Qeverisë së Serbisë i artikuluar për të rritur presionin në shqiptarët qe jetojnë në trojet e tyre. Mendoj se ky problem ende nuk është aktualizuar me tërë dimensionin e saj nga forcat politike, mediat dhe shoqëria civile në vetë Luginën së pari, e shumë më pak në Kosovë dhe Shqipëri. Nuk mjafton që ne t’i qajmë hallin njërin tjetrit, por problemi duhet të shtrohet me tërë ashpërsinë dhe seriozitetin e tij”, tha Mustafa.
Tutje, Mustafa, tha se Qeveritë dhe Kuvendet e Shqipërisë dhe Kosovës duhet t’u dërgojnë notë proteste Serbisë, dhe Këshilli nacional i Luginës duhet ta ngrisë zërin më shumë, të informojë Ambasadat dhe Brukseilin vazhdimisht.
Po ashtu, Mustafa shtoi se institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë duhet ta mbajnë vazhdimisht në fokus këtë problem.
“Shqiptarët e Luginës duhet të kenë një përkrahje të vazhdueshme dhe domethënëse nga Shqipëria dhe Kosova. Besoj se gjërat do të ndryshojnë në të ardhmen. Ndarja nga Qeveria e Kosovës e 2 milionë eurove nga buxheti për investime në Luginë është vetëm hapi i parë në drejtimin e duhur por jo i mjaftueshëm”, përfundoi Mustafa.
Discussion about this post