Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, si prijës i protestës së sotme përballë kryeministrisë në Tiranë, iu është drejtuar të pranishëmve në këtë aktivitet, duke thënë se ‘’Ballkani i hapur’’ do të hidhet poshtë me të gjitha aktet e marrëveshjes sapo Partia Demokratike të jetë në pushtet.
Sipas Berishës, Vuçiqi është prijësi i kësaj ideje dhe si i tillë ai nuk do të jetë asnjëherë i mirëpritur në Tiranë, njofton Klankosova.tv.
”Në këtë protestë, në të cilën ne ngrihemi fuqishëm në mbrojtje të interesave jetike të kombit shqiptar, jemi mbledhur sot këtu për të protestuar kundër projektit fantazmë të aleancës trilaterale”.
”Do të garantoj shqiptarët dhe miqtë tanë se kjo nuk është një protestë kundër bashkëpunimit rajonal, ne jemi, kemi qenë dhe mbetemi të angazhuar për një bashkëpunim të sinqertë të frytshëm rajonal, për integrime rajonale, në kuadër të integrimeve rajonale dhe euroatlantike”.
”Por kjo është një protestë kundër një projekti, i cili shkon në kurriz të mbarë kombeve të Ballkanit, përveç Beogradit. Kundër një projekti, i cili është refuzuar në mënyrë kategorike nga Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi e Kosova, është shpallur si kërcënim nga Kroacia. Një projekt, i cili nuk synon gjë tjetër veçse vendosjen e hegjemonisë serbe”.
”Ne jemi kundër këtij projekti sepse bie ndesh, në mënyrë flagrante, me interesin tonë kombëtar. Ky projekt rindërtoi hartat e rajonit, duke e fshirë Kosovën si shtet i pavarur. Në fillimet e tij ky projekt vuri për masë minishengenin, për të mashtruar kombet e Ballkanit. Më vonë, projekti mori emrin ‘Ballkani i hapur’, për të nderuar autorin apo propagandistin e shoqërisë së hapur, i cili nuk nguronte të promovonte ndarjen e Kosovës mbi bazën e vijave etnike të pastërta”.
”Miqtë e mi, sot ne protestojmë si shqiptarë në këtë shesh, sepse mini Ballkani i hapur është projekti, me të cilin Vuçiq dhe Rama kanë rrethuar Kosovën në një darë armiqësore”.
”Sot me ne protestojnë këtu të gjithë qytetarët e Maqedonisë, Malit të Zi, Kosovës, Bosnjës dhe Serbisë, që shohin në projektin djallëzor të ‘Ballkanit të hapur’, një përpjekje aventurierësh”.
”Lexoni letrën e tyre të sotme, që këta aventurierë i drejtohen Brukselit. Në asnjë rresht, në asnjë vend, nuk flasin për shtete të pavarura, nuk bëjnë fjalë për popujt sovranë, por për popuj në konceptin e vjetër jugosllav”.
”Aleksandar Vuçiq ka ardhë këtu si udhëheqës i ‘Ballkanit të hapur’, i tillë, si udhëheqës i aleancës trilaterale, Beograd, Shkup, Tiranë. I tillë, nuk do jesh kurrë zotëri, i mirëpritur në Tiranë. Jo dhe jo, sepse lordi yt është Moska. Sepse prapa nismës tënde qëndron ideja e serbomadhisë. Sepse prapa idesë tënde qëndron përpjekja për të shtruar në këtë zonë influencën e Putinit”.
”Protesta jonë sot është protesta e mbarë njerëzve të qytetëruar në Europë dhe në Botë, të cilët nuk pajtohen kurrë me gjenocidin dhe krimin kundër njerëzimit, që presin nga Beogradi dhe udhëhëqësit e tij të kërkojnë falje publike dhe jo të mohojnë gjenocidin e Srebrenicës, e të mohojnë gjenocidin ciklik kundër shqiptarëve. Sepse ata që mohojnë gjenocidet, mbeten në fazën e egërsisë njerëzore. Dhe nuk mund të kenë vend në botën e qytetëruar”.
Discussion about this post