Forumi Ekonomik Mbarë Shqiptar, nëpërmjet një deklarate, ka shprehur shqetësimin e saj për masat e marra nga qeveria e Republikës së Kosovës, me ç’rast, ndër të tjera, është marrë vendim që gjithsecili që hyn në Kosovë, të posedoj certifikatën prej 3 dozash të vaksinimit kundër COVID-19, transmeton AFEDS.
“Masat e vendosura për hyrjet dhe daljet e qytetarëve në Kosovë vështirësojnë dukshëm lirinë e lëvizjes, pasi një pjesë e madhe e qytetarëve nuk mund ta marrin dozën e tretë duke qenë se nuk ka kaluar kohë mjaftueshëm nga doza e dytë (6 muaj) dhe kryerja e testit të RT-PCR i ngarkon me një kosto shtesë financiare të gjithë qytetarët, sidomos ata që kanë hyrje-dalje të shpeshta me Republikën e Kosovës”, thuhet ndër të tjera në reagim.
Sipas Forumit Ekonomik, referuar Organizatës Botërorë të Tregtisë ku përcakton se, rimëkëmbja do të jetë më e shpejtë, nëse vendet i mbajnë tregjet e hapura, nuk vendosin barriera dhe veprojnë së bashku.
Reagimi plotë si vijon:
Forumi Ekonomik Mbarë Shqiptar ka ndjekur me shqetësim vendimin e marrë nga Qeveria e Republikës së Kosovës “Për masa të përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19”, i cili ka hyrë në fuqi më 22 Janar 2022.
Në këtë vendim, ndër të tjera, përfshihen masat e reja mbi hyrjet dhe daljet e qytetarëve në dhe nga Kosova, duke vendosur kusht certifikatën e vaksinimit me tre doza kundër COVID-19 ose certifikatën e vaksinimit me dy doza kundër COVID-19 bashkë me testin RT-PCR negative jo më herët se 48 orë para nisjes. Gjithashtu është vendosur kufizim orari për lejimin e aktivitetit të gjithë gastronomisë në Kosovë deri në orën 21:00.
Masat e vendosura për hyrjet dhe daljet e qytetarëve në Kosovë vështirësojnë dukshëm lirinë e lëvizjes, pasi një pjesë e madhe e qytetarëve nuk mund ta marrin dozën e tretë duke qenë se nuk ka kaluar kohë mjaftueshëm nga doza e dytë (6 muaj) dhe kryerja e testit të RT-PCR i ngarkon me një kosto shtesë financiare të gjithë qytetarët, sidomos ata që kanë hyrje-dalje të shpeshta me Republikën e Kosovës.
Masa e marrë nga Qeveria, në kufizimin e orarit për lejimin e aktivitetit të gastronomisë deri në orën 21:00 nuk bënë gjë tjetë veçse rëndon akoma dhe më shumë këtë sektor si dhe ndikon në uljen e volumit të shitjeve duke cënuar rëndë të gjitha bizneset që operojnë me këtë sektor.
Referuar Organizatës Botërorë të Tregtisë ku përcakton se, rimëkëmbja do të jetë më e shpejtë, nëse vendet i mbajnë tregjet e hapura, nuk vendosin barriera dhe veprojnë së bashku, faktit konkret ku vendet e mëdha të Evropës si Anglia, Franca, Spanja tashmë po i lehtësojnë masat kufizuese në vendet e tyre si dhe rekomandimit të fundit të Organizatë Botërore të Shëndetësisë ku shprehet qartë se, ndalimet ndërkombëtare të udhëtimit duhet të lehtësohen ose të hiqen krejtësisht, ky vendim i Qeverisë së Kosovës, në këto kohë, nuk sjell gjë tjetër veçse pengon lirinë e lëvizjes dhe tregtisë së lirë.
Duke shprehur mirëkuptimin tonë mbi gjendjen epidemiologjike i bëjmë thirrje qeverisë së Republikës së Kosovës të rishqyrtojnë këtë vendim duke mos penguar qarkullimin e lirë të qytetarëve në rajonin tonë si dhe duke mos dëmtuar akoma dhe më shumë sektorin e gastronomisë.
Discussion about this post